Secondary Adv

Shqipëria, 38 për qind e familjeve pa ngrohje, niveli më i lartë i varfërisë energjetike në Evropë

Rreth 38% e familjeve shqiptare nuk arrijnë të mbajnë banesat të ngrohta, ndërsa mungojnë programet e dedikuara për eficiencën.

Rreth 38% e familjeve në Shqipëri nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta për shkak të të ardhurave të ulëta dhe kostove, ndërsa vendi ende nuk ka një program të posaçëm që të lidhë financimin e rinovimit të banesave apo përmirësimin e sistemeve të ngrohjes me familjet në varfëri energjetike. Gjetjet paraqiten në raportin e vitit 2026 për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, i cili analizon zhvillimet gjatë vitit 2025.


Raporti e vendos këtë problem përballë uljes së çmimit të energjisë elektrike për familjet, që ishte masa kryesore e Shqipërisë gjatë vitit 2025 për përmirësimin e përballueshmërisë së energjisë. Nga shkurti, tarifa për konsumatorët familjarë që përdornin deri në 700 kWh në muaj u ul nga 9.5 lekë/kWh në 8.5 lekë/kWh, ose me 1 lek për kilovatorë. Nga rreth 1.07 milion kontrata familjare, afërsisht 95% përfshihen në këtë fashë konsumi dhe përfituan nga tarifa më e ulët.


27% kanë vështirësi të vazhdueshme për të paguar shërbimet

Megjithatë, raporti vlerëson se ulja e çmimit të energjisë nuk e zgjidh problemin strukturor të varfërisë energjetike. Sipas të dhënave të cituara në dokument, 27% e popullsisë përballet vazhdimisht me vështirësi për të paguar shërbimet utilitare, ndërsa përqindja e familjeve që nuk arrijnë të sigurojnë ngrohje të përshtatshme arrin në 38%. Raporti e cilëson këtë si nivelin më të lartë të varfërisë energjetike në Europë.


Strategjia e Mbrojtjes Sociale 2024–2030 parashikon masa kundër varfërisë energjetike, përfshirë konsolidimin e skemave financiare dhe nxitjen e përdorimit të paneleve diellore në zonat rurale. Edhe Agjenda e Reformave e Shqipërisë parashikon përshtatjen graduale të tarifave me çmimet e tregut, të shoqëruar me masa për familjet që përballen me varfëri energjetike.


Pavarësisht këtyre parashikimeve, raporti konstaton se deri në vitin 2025 nuk ekzistonte një program i dedikuar që grantet për rinovimin e banesave ose përmirësimin e sistemeve të ngrohjes t'i orientonte posaçërisht drejt këtyre familjeve.


Në Mal të Zi grantet arrijnë deri në 10 mijë euro

Raporti sjell si krahasim disa nga masat e zbatuara në vendet e rajonit. Në Mal të Zi, më shumë se 4,500 familje ishin përfshirë deri në mars 2025 në masa për eficiencën e energjisë, ndërsa mbi 2,500 aplikime ishin miratuar. Programi kishte një vlerë totale prej më shumë se 15 milionë eurosh, ndërsa grantet arrinin deri në 10 mijë euro për përfitues për ndërrimin e dritareve, termoizolimin, instalimin e paneleve diellore dhe sistemeve eficiente të ngrohjes.


Në rastin e Shqipërisë, problematika lidhet jo vetëm me çmimin e energjisë, por edhe me cilësinë e banesave dhe mundësinë e familjeve me të ardhura të ulëta për të investuar në masa të eficiencës energjetike. Për këtë arsye, raporti rekomandon që financimet për rinovimin e ndërtesave në Ballkanin Perëndimor të orientohen më shumë drejt familjeve në varfëri energjetike dhe jo vetëm drejt konsumatorëve që kanë kapitalin e nevojshëm për të investuar.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat